Tirane,19 gusht 2013- Presidenti i vendit Bujar Nishani ka reaguar në lidhje me akuzat e bëra nga deputeti i PS Piro Lutaj se dekretimi i SHQUP si seli e PD është bërë me qëllimin për të liruar truallin ku aktualisht ndodhet PD e ku familja presidenciale ka interesat e saj. Nishani ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka deklaruar se familja e bashkëshortes së tij nuk ka lidhje pronësie me truallin e godinës së PD."Përfaqësues të lartë të shumicës së re qeverisëse, në vazhdën e shpifjeve të neveritshme dhe të përsëritura të këtyre ditëve, kanë adresuar publikisht akuza të paqena ndaj familjes së Presidentit të Republikës për të ashtuquajturën lidhje në pronësi mbi truallin ku sot ndodhet godina e selisë së PD. Institucioni i Presidentit të Republikës duke hedhur poshtë me përbuzje dhe neveri të tilla shpifje, deklaron me vendosmëri se familja e bashkëshortes së Presidentit nuk ka lidhje pronësie mbi truallin e godinës në fjalë.Ky akt i turpshëm shpifjeje dhe ky sulm i rëndë antikushtetues me ngjyrim të qartë politiko-propagandistik, synon të terrorizojë psikologjikisht familjen e Presidentit të Republikës dhe të ndalë ushtrimin e funksioneve kushtetuese nga ana e Kreut të Shtetit. Me këtë rast dhe në këto rrethana, Presidenti i Republikës i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të nisë procedurën e hetimit penal ndaj këtij shantazhi që po i bëhet Kreut të Shtetit shqiptar.Presidenti i Republikës, lidhur me të njëjtin problem, i kërkon gjithashtu Zotit Edi Rama, Kryetar i Partisë Socialiste propozuar nga shumica e re për postin e Kryeministrit, ta ndalë urgjentisht këtë fushatë të ulët, të padrejtë dhe të padenjë, kundër Kreut të Shtetit. Ftoj me këtë rast cilindo shtetas shqiptar që çdo pretendim për shkelje të Ligjit nga ana e Presidentit të Republikës ta denoncojë normalisht në institucionet përkatëse të Drejtësisë", shkruhet në njoftimin e Presidencës.





