Partia Demokratike ka nxjerrë një udhëzim të ri për angazhimin e strukturave të saj në të gjithë vendin, në funksion të diskutimeve për reformën administrative dhe territoriale.

Dokumenti, i firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka, parashikon një plan të detajuar veprimi për degët lokale, me synim përfshirjen e qytetarëve, ekspertëve dhe përfaqësuesve vendorë në hartimin e një ndarjeje të re territoriale.

Sipas dokumentit, degët e PD-së do të organizojnë dëgjesa publike me komunitetet dhe deri më 15 prill duhet të zhvillohen mbledhjet e kryesive për të diskutuar variantet konkrete të reformës. Partia kërkon që të gjitha propozimet të finalizohen dhe të raportohen brenda datës 20 prill, të shoqëruara edhe me dokumentim nga takimet në terren.

Në proces do të përfshihen gjithashtu këshilltarë vendorë, ekspertë dhe përfaqësues të zgjedhur lokalë, ndërsa në dokument theksohet se një ndarje e re territoriale më pranë qytetarëve mbetet një çështje me rëndësi të veçantë politike dhe një hap i rëndësishëm për riorganizimin e qeverisjes vendore.