Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se sot vijon procedura për shkarkimin e Presidentit, Ilir Meta.
Në një deklaratë për mediat, deputeti socialist u shpreh se kërkesa u shqyrtua nga Komisioni i Ligjeve dhe se raporti i Komisionit do shkojë në seancën plenare për tu ngritur edhe Komisioni Hetimor që do vlerësojë sjelljen e Metës.
Ai shtoi se Komisioni Hetimor do të përbëhet nga anëtarët e tre grupeve parlamentare, ndërsa theksoi se çdo ditë e më shumë po bëhet e domosdoshme lirimi i zyrës së Presidentit.
"Në zbatim të kushtetutës dhe rregullores së kuvendit jemi në fazën që po shqyrtojmë nismën e depozituar nga 55 anëtarë të Kuvendit për shkarkimin e Presidentit. Në këtë fazë raporti i shkon seancës plenare, kishim një diskutim për këtë çështje. Kuvendi diskuton në seancë raportin e komisionit të Ligjeve dhe nëse raporti miratohet, me të ngrihet edhe Komisioni Hetimor për evidentimin e shkeljeve nga ana e presidentit dhe më pas komisioni Hetimor paraqit në kuvendin e Shqipërisë raportin përfundimtar. Nëse merr 94 a më shumë vota nga deputetë, miratohet shkarkimi i presidentit dhe certifikimin e këtij procesi e bën Kushtetuesja. Jemi në zbatim të përpiktë të afateve kushtetuese dhe rregullores për të çuar më tej këtë kërkesë që sa më shumë ditë kalojnë aq më kuptimplotë bëhet bazueshmëria e nevojës për të liruar sa më shpejt zyrën e presidentit"– tha Balla i cili i pyetur nëse po punohet për dialog me Bashën, u shpreh se "ka një instrument të rëndësishëm që është Komisioni i Reformës Zgjedhore, që ka lënë të hapur mundësinë që PD të ketë një përfaqësues të vetin në këtë komision".





