Blerjet online aq të preferuara nga të rinjtë, do të taksohen nëse kalojnë vlerën e 22 eurove. Ministria e Financave do t’i kërkojë qeverisë uljen e kufirit të pataksueshëm për blerjet online nga 150 euro që është aktualisht, në 22 euro. Kjo masë merret për të nxitur konsumin në vend, si dhe për të shmangur konkurrencën e pandershme që iu bëhet tregtarëve që paguajnë taksa dhe tatime. Ministria e Financave ka bërë gati për të dërguar në qeveri vendimin që parashikon uljen e kufirit të pataksueshëm për blerjet online ose dërgesat nga 150 euro që është aktualisht në 22 euro. Tashmë për çdo blerje on line nëpërmjet internetit që kalon vlerën 22 euro, do të paguash 20% TVSH dhe 2.4% taksë doganore.

Pra në total 22.4% të vlerës së mallit taksë. Ndërkaq mësohet se kryeministria po mbledh edhe mendimet e institucioneve të tjera, pasi një pjesë e tyre kanë shfaqur edhe rezerva për këtë nismë.

Burime nga Ministria e Financave shpjegojnë se ulja e kufirit të pataksueshëm për blerjet online merret për  të shmangur konkurrencën e pandershme që iu bëhet bizneseve tregtare që importojnë dhe shesin produktet e tyre në vend, duke paguar të gjitha taksat dhe tatimet në import.

Duke parë se blerjet nëpërmjet internetit u bënë shumë të preferuara për konsumatorët shqiptarë, në mes të vitit 2014, qeveria vendosi që të taksojë blerjet që kalonin vlerën e rreth 200 mijë lekëve nga 10 mijë që ishte më parë. E ndërsa tani po kërkohet ulja e vlerës së patatueshme të blerjeve, për të nxjerrë nga kriza biznesin vendas.