·        Forumi “Albania” në Dhomën e Tregtisë, të pranishëm pesëdhjetë biznesmenë

RAVENNA, 27 qershor 2013 –Një traget Ravena -Durrës. Ky është propozimi i bërë nga zëvendëskryetari i bashkisë së Ravenës Giannantonio Mingozzi gjatë takimit ndërmjet institucioneve italiane dhe shqiptare me titull “Mes Italisë dhe Shqipërisë një ‘det’ mundësish” (Tra Italia e Albania un 'mare' di opportunità"), që u zhvillua në mëngjesin e 27 qershorit 2013 në Dhomën e Tregtisë. Ishte i pranishëm  ambasadori i ri i Republikës së Shqipërisë në Itali, profesor Neritan Ceka.

Sipas sajtit “ravennanotizie.it”, pas përshëndetjeve të presidentit të Shoqatës Itali-Shqipëri Elio Ferri dhe kryetarit të Dhomës së Tregtisë Gianfranco Bessi, zëvendëskryetari i bashkisë Giannantonio Mingozzi shtroi një prej temave të ditës, sikurse është zhvillimi i transportit detar Ravena-Durrës, duke u propozuar dy qeverive vendosjen e një trageti të shpejtë midis këtyre dy porteve.

Sipas nr. 2 të bashkisë, në portin e Ravenës konvergjojnë interesa të shumtë biznesi.

Shumë sipërmarrës kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të zhvilluar marrëdhënie të reja me Shqipërinë në kontekstin ballkanik dhe në perspektivën evropiane, tha prof. Mingozzi.

Në forum është biseduar rreth situatës së re politike në Shqipëri në dritën e zgjedhjeve të fundit.

Info/

Që në shekujt e mesjetës së hershme, qyteti italian i Ravenës zhvillonte tregti intensive me bregun shqiptar të Adriatikut, në mënyrë të veçantë me qytetet e Durrësit dhe të Vlorës.

Një valë shqiptarësh u vendosen në qytetin e Ravenës në vitet 1478-1479.

Që nga antikiteti i vonë dhe gjatë gjithë mesjetës, këto porte shërbyen për eksportimin e mermerit dhe të lëndës drusore, por edhe për mallra të tjera të eksportit shqiptar.

Kjo lëvizje e dendur tregtare midis bregut shqiptar të Adriatikut dhe qytetit të Ravenës në mënyrë të natyrshme do të sillte dhe vendosjen e shumë tregtarëve nga Shqipëria në këtë qytet dhe në krahinat përreth tij, ashtu siç është e natyrshme që edhe qytetarë të Ravenës do të vendoseshin në qytetin e Durrësit.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/