Një propozim ligjor në Itali ka shkaktuar polemika të forta, pasi synon që fëmijët e porsalindur të marrin automatikisht mbiemrin e nënës.
Iniciativa është ndërmarrë nga Dario Franceschini, ish-ministër i Kulturës dhe anëtar i Partisë Demokratike të qendrës së majtë, i cili e konsideron këtë një hap drejt barazisë gjinore dhe një ndreqje për padrejtësitë historike.
“Është një gjë e thjeshtë dhe një kompensim për një padrejtësi shekullore, që ka pasur jo vetëm një vlerë simbolike, por edhe një ndikim kulturor dhe social në pabarazinë gjinore”, tha Franceschini.
Por propozimi u kundërshtua menjëherë nga zëvendëskryeministri Matteo Salvini, i cili e ironizoi duke thënë: “Ky qenka një nga prioritetet e mëdha të së majtës italiane! Le t’i fshijmë baballarët nga faqja e dheut dhe kështu do të zgjidhim të gjitha problemet.”
Ndërkohë, Federico Mollicone, përfaqësues i qeverisë së Giorgia Melonit, tha se një ndryshim i tillë do të krijonte një zhvendosje nga patriarkia në matriarki, por sugjeroi si alternativë dhënien e dy mbiemrave për fëmijët.