Parkimi i automjeteve në rrugët kryesore të qytetit të Durrësit nuk do të jetë më falas, por do të bëhet me pagesë.

Në konsultimin publik të bërë ditën e sotme, pa praninë e mediave, në sallën e Këshillit Bashkiak, stafi i bashkisë ka prezantuar propozimet për 2 zonat e administrimit të parkimit me pagesë (A & B), tarifat e parkimit, ditët dhe oraret e parkimit me pagesë, sheshet e parkimeve publike që do të kthehen me pagesë, parkimin për rezidentët etj.

Sipas relacionit “PËR PËRCAKTIMIN E ZONAVE TË ADMINISTRIMIT TË PARKIMIT DHE TARIFAVE TË SHËRBIMIT TË PARKIMIT ME PAGESË NË RRUGË DHE SHESHE NË TERRITORIN E BASHKISË DURRES”, pushteti  vendor ka planifikuar të ndajë në dy zona të administrimit të parkimit, rrugët në të cilat parkimi i automjeteve do të tarifohet.

Nuk dihet ende se kur do të nisë të aplikohet parkimi me pagesë i mjeteve, pasi as në relacion (të plotë e gjeni në fund të shkrimit) dhe as gjatë konsultimit të sotëm nuk është përmendur asnjë afat konkret, se kur bashkia planifikon të fusë në zbatim këtë projekt.

Në relacion përcaktohet qartë ndarja mes dy zonave të administrimit të parkimit (ZAP).

Zona A përfshin vendndodhjet me ngarkesën më të madhe me ndërveprime intensive tregtare, financiare, institucionale apo sociale.

Rrugët e destinuara për parkim në rrugë me pagesë që përfshihën në zonën A, janë si më poshtë:

1. Rruga “Taulantia”

2. Rruga e “Currilave”

3. Bulevardi “Epidamn”

4. Bulevardi “Dyrrah”

5. Rruga “Egnatia”

6. Rruga “Mars 91”

7. Rruga “Aleksandër Goga” (segmenti 1)

8. Rruga e “Dëshmorëve”

9. Rruga “Adria”

10. Rruga “Pavarsia”

11. Rruga “Hafiz Pogdorica”

Zona B përfshin zonat ku mbizotërojnë shkëmbimet tregtare, financiare, institucionale, me intensitet mesatar.

Rrugët e destinuara për parkim në rrugë me pagesë që përfshihën në zonën B, janë si më poshtë:

1. Rruga “Aleksandër Goga” (segmenti 2)

2. Rruga “Mujo Ulqinaku”

3. Rruga “Stefan Kaculini” dhe rruga “Glaukia”

4. Rruga “Hysen Kërtusha”

Tarifat e propozuar për parkimin në rrugë me pagesë për zonën A do të jetë 100 lekë/ora dhe për zonën B do të jetë 40 lekë/ora.

Ditët dhe oraret e qëndrimit

Parkimi në rrugët kryesore të Durrësit do të jetë falas vetëm në fundjavë, ndërkohë që në ditët e tjera të javës (nga e hëna në të premte) do të jetë me pagesë për pjesën më të madhe të orëve të ditës.

Bashkia Durrës ka vendosur të aplikojë një orar më të gjatë për tarifimin me pagesë të parkimit të mjeteve gjatë sezonit veror, ndërsa për pjesën tjetër të muajve të vitit kohëzgjatja do të jetë pak më e shkurtër.

“Gjatë periudhës nga data 1 qershor deri 30 shtator ora: 08.00-20.00, e hënë – e premte

Gjate periudhës nga data 1 tetor deri 31 maj ora: 08.00-18.00, e hënë – e premte

Jashtë fashës së orarit/ditëve të sipërcituara parkimi në rrugët e zonës A dhe B do të jetë pa pagesë përfshirë dhe rezidentët”,- shkruhet në relacion.

Parkimi publik në sheshe me pagesë

Deri më tani, në disa sheshe publike të Durrësit mund ta parkoje automjetin pa paguar një tarifë të caktuar, por me tarifimin e parkimeve në rrugët kryesore do të nisë tarifimi eedhe në sheshet publike të mëposhtme;

1. Sheshi prane Bar Portofino.

2. Sheshet në rrugën “Mars 91” Durrës (dy sheshe).

3. Sheshi ndodhur poshtë Urës së Dajlanit.

4. Sheshi tek Mauzoleumi.

5. Sheshi në territorin e brendshëm të Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”.

6. Sheshi pranë tregut industrial, në rrugën “Hysen Myshketa”

Tarifa për vendparkimi në sheshe, (sipas VKB Nr. 194, datë 22.12.2023, për “Sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Durrësit”), parashikohet të aplikohet sipas tabelës më poshtë:

Parkimi për rezidentët

Rezidentët që banojnë në zonat, ku do të aplikohet parkimi i automjeteve me pagesë nuk do të tarifohen. Bashkia ka përcaktuar zonat ku ata mund të parkojnë mjetet e tyre falas.

“Duke u mbështetur në Udhëzimin nr.7 datë 10.06.2008 “Mbi rregullat, kriteret, dokumentacionin dhe proçedurat për përzgjedhjen e subjektit që do të kryejë administrimin e shërbimit të parkimit/ve me pagesë në rrugë”, propozojmë që hapësirat publike pra kuartallet midis pallateve në të gjithë territorin administrativ të bashkisë Durrës përfshirë dhe zonën A dhe B, të destinohen si zona për vende parkimi për automjetet e banorëve (rezident) pa pagesë, me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës së tyre.

Gjithashtu pjesë e parkimit për rezeidentët përveç kuartalleve do të jenë dhe hapësirat publike të klasifikuara si “Rrugëkalimi mjetesh” të ndodhura ndërmjet apo midis pallateve. Në vijim nga ana e institucionit të bashkisë Durrës do të përcaktohet dokumentacioni, mënyra e aplikimit etj me qëllim funksionimin e parkimit të rezidentëve pa pagesë”,- shkruhet në ralacion.

M.B.