MAQEDONI, 19 mars 2013 – Organizata joqeveritare CIVIL në Maqedoni, ka vërejtur gjatë monitorimit të fushatës parazgjedhore në terren, një sërë problemesh dhe parregullsish.
Njëri nga rastet më flagrante të manipulimit të votuesve, është vërejtur në një komunë maqedonase, ku jeton kryesisht popullatë me status ‘beqar’.
Sipas CIVIL-it, banorëve të kësaj komune u është ofruar nga partitë përkatëse që garojnë në zgjedhje, nuse për martesë, nëse japin votën e tyre për opsionin e caktuar.
Vërejtjet janë zbardhur sot nga kryetari i CIVIL-it, Xhabir Deralla, i cili ka vlerësuar se fushata elektorale ka shumë parregullsi dhe shkelje ligjore. Sipas kreut të kësaj organizate, zgjedhjet lokale nuk janë të tilla, për shkak se, sipas tij, gara po zhvillohet edhe në baza ndëretnike, transmeton Zhurnal.
“Këto tensione po shfrytëzohen rregullisht nga ana e politikanëve për përfitimin e votave, që është një nga shkeljet më serioze dhe që mund të ketë pasoja afatgjate”, ka thënë Deralla.
CIVIL ka vërejtur gjithashtu se të punësuarve në administratë u ushtrohet presion që të punojnë dhe angazhohen në aktivitetet parazgjedhore të partive.