GJIROKASTER – Këshilltarët e PD-së në këshillin bashkiak të Gjirokastrës kanë hedhur idenë e ngritjes së një muzeu me materiale, dokumente dhe relike nga jeta dhe vepra e Heroit të Popullit, patriotit Cerciz Topulli.
Bexhet Cobani, këshilltar i PD-së, thotë se ka ardhur koha për ngritjen e një muzeu për figurën e shquar të këtij qyteti dhe mbare vendit, Heroit te Popullit, patriotit Cerciz Topulli, i cili sipas tij, duhet rivlerësuar. "Vërtet ky bir legjendar i Gjirokastrës nuk mori pjesë fizikisht në ngritjen e flamurit në Vlorë më 28 nëntor 2912, por kjo nuk e zbeh aspak rolin dhe kontributin e tij madhor për shpalljen e pavarësisë", theksoi ai.
Cobani shtoi se Cerciz Topulli mbetet një nder burrat dhe patriotet më të mëdhenj dhe me një rol parësor në luftën kundër pushtuesve otomane, shovinstëve greke dhe atyre serbë, prandaj një muze për të në qytetin e lindjes do të ishte i domosdoshëm dhe korrigjim për harresën ndaj tij.
Kryetari i këshillit bashkiak të Gjirokastrës, Besnik Shehu, tha se ky propozim i kryetarit të këshilltarëve demokratë është tejet interesant dhe do të shihet me përparësi nga këshilli i bashkisë.