Finalizohet operacioni i koduar “Postieri” duke arrestuar në flagrancë një person, i cili dyshohet se shfrytëzonte femra për prostitucion dhe shpërndante lëndë narkotike të llojit kokainë në lokalet e natës së Durrësit.
Pas një hetimi 6-mujor me metoda speciale, Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit të Organizuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës më bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin Hektor Psatha 38 vjeç, banues në Durrës.
50 euro nata e prostitutave dhe kokainë nëpër lokale
Gjatë veprimeve hetimore, është dokumentuar se shtetasi i mësipërm shfrytëzonte femra për prostitucion kundrejt pagesës prej 50 € dhe shpërndante lëndë narkotike në lokalet e natës, kryesisht në zonën e Plazhit.
Janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale:
• 22 doza lëndë narkotike e dyshuar e llojit Kokainë;
• një automjet tip Toyota Yaris;
• 2 telefona celularë.
Policia bën me dije se Psatha është person me precedentë penal të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër pronës. Por për shkak të hetimeve nuk jepen më shumë detaje rreth ngjarjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” parashikuar në nenet 114 dhe 283 të Kodit Penal.





