Detaje të reja janë zbardhur për rrjetin e grupit që trafikonin vajza të mitura dhe i shfrytëzonin për prostitucion, ku në mesin e tyre ishte edhe një tutore shqiptare që dyshohet t’i ketë bërë pjesë e këtij rrjeti.

Një nga të miturat, një 17-vjeçare në Athinë ka folur për një televizionin grek, ku ka thënë se çdo gjë e ka bërë me dëshirë dhe nuk është detyruar nga askush.

17-vjeçarja i ka dalë në mbrojtje 31-vjeçares shqiptare Lorela K., e cila është e arrestuar si një nga tutoret.

 “E kam njohur në moshën 14.5 deri në 15 vjeç. Më pëlqeu, u shoqëruam, shkuam mirë. Dikur dilnim, unë flija në shtëpinë e saj, prindërit e mi e takuan, e pëlqyen në fillim.”

Më pas e mitura flet edhe për fotot nudo që postoheshin në rrjetet sociale për të gjetur klientë.

“Gjeja klientë nga Instagrami. Dikush tjetër publikonte reklama pa e ditur ne. 34-vjeçari i ka postuar fotot pa dijeninë tonë. Ai na fotografonte me pëlqimin tonë që t’i mbante fotot, por jo për t’i publikuar. Policia po heton që të kapë persona të pafajshëm”, shtoi 17-vjeçarja.

Ajo thekson se në grup ka vajza edhe më të vogla, 14 dhe 15 vjeç, ku për çdo takim merrnin 200 euro.

Policia ka njoftuar se si u njoftuan për ekzistencën e këtij grupi:

“Në verën e shkuar është marrë një ankesë në Nëndrejtorinë e Mbrojtjes së të Miturve për njërën nga vajzat që duket se është takuar me një nga të pandehurit. Në fakt një pjesëtar i familjes së saj e ka vënë re dhe kështu ka nisur hetimi. Ne kontaktuam me të akuzuarit dhe u lëshuan tre urdhër arreste”, tha një zëdhënës i policisë.