Itali, 9 prill 2014 – Një vajzë e re shqiptare 24 vjeçare ishte mashtruar me premtimin e një vendi pune me pagesë të mirë në Itali, ndërsa kishte përfunduar në trotuar si prostitutë. Dy burra dhe një femër shqiptare, që kishte shërbyer si karremi për të mashtruar bashkëatdhetaren e vet, u arrestuan nga policia italiane. Të dy shqiptarët u arrestuan në Peruxhia dhe në periferi të Napolit, ndërsa po përpiqeshin t’ia mbathnin nga Italia për në Shqipëri.

Historia e prostitutës shqiptare ishte vërtet e dhimbshme. Pasi ishte mashtruar dhe dërguar në Itali, në vend të një pune të ndershme përfundon me tortura dhe dajak si prostitutë. Dy protektorët e dërgonin te stacioni i trenit të Kazertas dhe mbasi mbaronte “turnin e punës” e kthenin në bazën, ku strehoheshin. Çdo tentativë e vajzës për të kundërshtuar neutralizohej me tortura. Ndër të tjera i kishin krisur dy brinjë dhe thyer një dhëmb.

Njëlloj si dyqanet e veshjeve me çmim unik, çdo gjë 1900 lekë, edhe protektorët e shqiptares i kishin shkruar në dorë prostitutës shifrën 30 euro për çdo kontakt seksual, të çdo lloji. Pas tre javësh torture, prostituta shqiptare kontaktoi karabinierët dhe me pak fjalë në gjuhën angleze u kërkoi ndihmë. Karabinierët filluan menjëherë hetimet, që çuan në prangosjen e tre shfrytëzuesve të prostitutës.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/