Antonio Candreva ishte një nga më të mirët për Interin, në fitoren e djeshme, 1-3 ndaj Cagliarit. Mesfushori italian ishte një motor në krahun e djathtë dhe protagonist absolut në të 3 golat e zikaltërve. Gjithsesi, Candreva vlerësoi jashtëzakonisht paraqitjen e Mauro Icardit, të cilin e cilësoi një nga sulmuesit më të mirë në botë.

“Ishte një ndeshje e vuajtur, përballë një kundërshtari të fortë, por ia dolëm të marrim 3 pikët. Me Mauron flasim shpesh në stërvitje, për mënyrën se si i do pasimet. Ai është vërtetë shumë i fortë, mjafton t’i çosh topin në zonë dhe për të tjerat mendon vetë”, u shpreh Candreva.

Gjithsesi, sipas anësorit të Interit, arkitekti i vërtetë i suksesit, është trajneri i ardhur këtë verë, Luciano Spalletti, që po i drejton zikaltrit nga fitorja në fitore.

“Kemi një trajner të shkëlqyer, që punon shumë me ne dhe na thotë vazhdimisht se jemi shumë të fortë. Na ka dhënë shumë besim në vetvete dhe na ka ndihmuar të sillemi si skuadër e madhe në fushë. Tani nuk e humbim toruan as kur jemi në vështirësi dhe presim momentin tonë për të goditur kundërshtarët”, tha Antonio Candreva.