Në fjalën e tij para Kryeministrisë ku janë mbledhur qytetarë nga i gjithë vendi, kryetari i opozitës, Lulzim Basha ka deklaruar se do çlirohet Shqipëria nga zgjedhjet e vjedhura.

Ai e ka quajtur si detyrë patriotike dhe parakusht për të hapur rrugën drejt Europës. Sipas Bashës kjo rrugë nuk mund të hapet përsa kohë që krimi qeveris dhe drejton Parlamentin.

“Mirë se jeni mbledhur në Kuvendin dhe referendumin popullor. Mirë se keni ardhur në kuvendin e sovranit. Jemi mbledhur sonte këtu, me një kushtrim, me një qëllim, me një mision, për të mos pranuar më kurrë, Shqipërinë e krimit, Shqipërinë e korrupsionit, Shqipërinë e hajdutërisë së Edi Ramës, por për Shqipërinë si gjithë Europa. Nuk të lëmë më të bllokosh rrugën tonë drejt Europës. Rama ik! Kanë burgosur dhe rrahur baballarë dhe nëna. I kanë mbytur me gaz fëmijë në shtëpitë e tyre për t’i grabitur. Kanë arrestuar studentë, duan të asgjësojnë Akademinë e Shkencave, kanë çuar drejt vetëvrasjes kryefamiljarë, por kriminelët nuk i prek Prokuroria e kapur, nuk i pret drejtësia e korruptuar sepse ata i binden një njeriu që e ka lidhur pushtetin me krimin dhe me krimin do të kapë Shqipërinë, por kjo nuk ka për të ndodhur. Do ta çlirojmë Shqipërinë nga zgjedhjet e vjedhura. Kjo është rruga e vetme për të mundësuar Shqipërinë në Europë. Për të realizuar misionin tonë hyjnor që është Shqipëria si gjithë Evropa duhet ta fitojmë këtë betejë me patjetër. Me këtë ëndërr jemi mbledhur dhe kemi bërë hapa përpara. Kemi qëndruar në ditët më të zeza të diktaturës dhe Tiranisë së krimit. Kemi kërkuar dënimin e atyre që vodhën zgjedhjet, propozuam vettingun politik, por bashkimi i Edi Ramës me krimin ka një përgjigje, të dhunojë shqiptarët. Katër nga shtatë anëtarët e të ashtuquajturës Task Forcë duhet të jenë sot në burg. Janë sot të pandëshkueshëm si të gjithë kriminelët e tjerë”, tha ai.