Gjykata e Lartë e Pakistanit vendosi të lirojë nga burgu ish-kryeministrin Imran Khan, i cili u arrestua më herët gjatë kësaj jave nën akuzën e korrupsionit.

Sipas Gjykatës, arrestimi i ish-kreut të qeverisë në ambientet e gjykatës në Islamabad ishte e paligjshëm dhe për këtë arsye ai duhet të lihet i lirë menjëherë.

Arrestimi i Imran Khan shkaktoi protesta të dhunshme në rrugët e qyteteve kryesore të Pakistanit ku 10 persona humbën jetën teksa 2000 të tjerë u arrestuan.

Ish-lojtari i kriketit iu tha gjyqtarëve se ishte rrëmbyer prej policisë nga Gjykata e Lartë të martën dhe ishte goditur me shkopinj. Nuk pati asnjë përgjigje të menjëhershme nga forcat e sigurisë për këtë pretendim.

Pamjet e arrestimit të tij treguan forcat e policisë që arrestuan Khan dhe e tërhoqën zvarrë nga brenda ambienteve të gjykatës, përpara se ta largonin me një automjet të blinduar.

Imran Khan, u detyrua që të linte postin pas mbajtjes së një mocioni mosbesimi në Parlamentin e vendit në prill, vitin e shkuar pasi përballet me një sërë akuzash penale mes të cilave terrorizëm dhe korrupsion.

Khani, i cili është cilësuar si populist, raportohet se që pas lënies së detyrës ka qenë i angazhuar për të “sajuar” një rikthim politik.

Partia e tij ka organizuar dhjetëra-mijëra mbështetës në mitingje politike në të gjithë vendin, në të cilat Khan dhe të tjerë kanë kërkuar zgjedhje të reja dhe kanë akuzuar trupat paramilitare për orkestrimin e rrëzimit të tij.