Opozita ka thirrur një protestë kombëtare mbrëmjen e 11 korrikut, e cila do të zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë.

Në kuadër të organizimit për protestën, deputetët demokratë dhe strukturat e kësaj partie janë angazhuar në takime sensibiluzese me qytetarët, duke i ftuar t’i bashkohen tubimit.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-s, Gazment Bardhi, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka, ishin në njësinë nr2 në Tiranë, ndërsa kanë ftuar banorët e kryeqytetit që në 11 korrik, ora 20:00 ti bashkohen protestës.

“Ekonomia është kryearsyeja për të ngritur zërin dhe për të protestuar në 11 Korrik”, shprehet Gazment Bardhi.

Në një postim në rrjetet sociale, ai shkruan se në takimet me qytetarë dhe bizneset pranë zonës së Pazarit të Ri, Njësia 2 Tiranë, bashkë me Sekretarin e Përgjithshëm të PD Falmur Noka, anëtarët e Kryesisë dhe strukturat drejtuese të degës, kuptuam nga afër padurimin e qytetarëve për tu bashkuar në projektin për ndryshimin e gjendjes në vend dhe për një ekonomi që garanton mirëqënien për çdo qytetar shqiptar.

“Ekonomia është dështimi më i madh i Qeverisë së Edi Ramës dhe kryearsyeja për të ngritur zërin e protestuar në 11 Korrik, ora 20:00 përpara Kryeministrisë. Shqipëria për shkak të politikave të gabuara të Edi Ramës renditet e para në Europë për numrin e madh të popullatës në pasiguri për ushqim, e krahasueshme vetëm me disa shtete në Afrikë”, thekson Bardhi.