Kreu demokrat Sali Berisha u shpreh pasditen e së martës, gjatë fjalimit që i drejton mbështetësve të tij nga ballkoni i apartamentit ku ndodhet në “arrest shtëpie” prej 30 dhjetorit 2023, se në historinë e lirisë, 2 korriku do mbetet gjithmonë një ditë frymëzimi, një ditë e ndritur për çdo shqiptar.

“Me 2 korrik të vitit 1990, në një kohë kur diktaturat komuniste kishin rënë njëra pas tjetrës në vendet e Europës ish-komuniste, në Shqipëri vazhdonte diktatura, e cila gjatë ditës fliste për demokraci, por në kufijtë e vendit ekzekutonte të rinjtë çdo javë dhe jo vetëm i ekzekutonte, por zvarriste trupat pa jetë të tyre në rrugët e qyteteve të vendit për të mbjellur terror te popullata.

Në këto kushte, kur Shqipëria dukej tërësisht e harruar, kur në arenën ndërkombëtare flitej që të mbetet Shqipëria si Kuba e Adriatikut, kur në të vërtetë në tërësi nuk parashikonte njeri ndryshimin, të rinjtë, kryesisht punëtorët e Tiranës, por edhe të përndjekurit politikë dhe intelektualë mendonin ndryshe.

Me guxim epik, ata përsëritën por në kushte të një rreziku shumë e shumë herë më të madh, atë skenar që gjermano-lindorët përsëritën në ambasadat gjermane në Çekosllovaki dhe Hungari.

Pra, ata përmbysën Perden e Hekurt në Tiranë, përmbysën Murin e Berlinit dhe hynë si heronj të vërtetë çlirimtarë në ambasadat e vendeve perëndimore.
Ky ishte një akt heroizmi të jashtëzakonshëm. Secili prej tyre mund të binte tek kalonte murin e ambasadës nga breshëritë e policisë sekrete shqiptare apo forcave të tjera të sigurisë.

Por kjo nuk i pengoi ata. Me mijëra prej tyre mbushën oborret dhe ndërtesat e përfaqësive diplomatike dhe mbi të gjitha ndërtesën e ambasadës gjermane, ambasadori i të cilit u dëshmua një mik i madh i lirisë së shqiptarëve, Verner Daum.