Banorët e pallatit 13 katësh, të ndërtuar në lagjen nr.17 nga kompania Kastrati protestuan ditën e sotme, kundër asaj që ata e cilësuan tentativë për t’i futur në një varrezë kolektive.
Pallati i tyre ka dëmtime serioze, në hyrje ka tabelën “Rrezik shembje”, ndërkohë që është anuar 65cm.
DurrësLajm më herët komunikoi me bashkinë e Durrësit, për të mësuar më shumë mbi kompaninë e ndërtimit, nëse ajo ishte pajisur me leje të përshpejtuar për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, por institucioni i qeverisjes lokale mohoi që kompania të ketë marrë leje.
Prej ditësh, përfaqësues të kompanisë kanë kontaktuar me banorët dhe u kanë thënë se do të nisnin rregullimet, por 120 familjet kërkojnë në mënyrë urgjente bërjen sa më parë të ekspertizës së thelluar për të ditur me saktësi fatin e pallatit të tyre.
Bashkia e Durrësit, në një komunikim të dytë me DurrësLajm bëri të ditur se akt konstatimi i bërë në këtë pallat është dërguar për ekspertizë të thelluar tek Instituti i Ndërtimit, dhe do të jetë vetëm ky institucion që do të thotë fjalën e fundit për godinën 13 katëshe.
Sipas bashkisë, pa u bërë një ekspertizë e thelluar nga Instituti i Ndërtimit, askush nuk mund të ndërhyjë në pallat për të bërë riparime apo rregullime si brenda ashtu edhe jashtë pallatit.
“Zoti ne na tha njëherë; Ju shpëtova, tani hapini sytë mos flini më në një varrezë kolektive!”, thotë deklaroi një nga banorët gjatë protestës së sotme. 120 familjet kërkojnë të dinë fatin që do të ketë pallati, ku ata banonin deri rreth 2 muaj më parë dhe njëkohësisht duan siguri për jetën, sepse rrezikuan të shihnin vdekjen me sy.
M.B.





