Bashkia e Durrësit ka reaguar pas protestës së banorëve të pallatit nr.1032 të lagjes nr.6, të cilët kërkojnë rindërtimin e godinës së objektit shumëkatësh në të njëjtin truall.
Bashkia deklaron se banorët do të strehohen në shtëpi të reja, më të sigurta nga ato që kanë patur përpara tërmetit dhe këto banesa të reja do të jenë në lagjen 17 në pallatin e Kastratit.
Në reagim, Bashkia thotë se në vendin ku më parë ka qenë ky pallat do të ketë një shesh të sistemuar dhe një memorial në kujtim të jetëve të humbura nga fatkeqësia natyrore të këtij pallati, pavarësisht se banorët e kundërshtojnë hapur.
REAGIMI I PLOTË
Në lidhje me shqetësimin e banorëve të pallatit në lagjen 6 (pallati barons) Bashkia e Durrësit deklaron se:
1. Bashkia e Durrësit ka detyrimin që të strehojë në shtëpi të reja brenda Durrësit të gjithë ata banorë që kanë humbur shtëpitë e tyre nga tërmeti. Edhe banorët e pallatit në fjalë do të strehohen në shtëpi të reja dhe më të sigurta nga ato që kanë patur përpara tërmetit. Sipas planit të detyruar vendor për zonën e dëmtuar pikësore për 4 banesa kolektive, Bashkia Durrës, i miratuar me vendim nr.591 datë 18.08.2020, është parashikuar që të ndërtohen disa banesa shtesë në pallatin nr.14 në lagjen 17(pallati i Kastratit). Pra banorët e pallatit në lagjen 6 do të strehohen në pallatin nr.14(pallati i Kastratit) që do të rindërtohet.
2. Ata do të marrin shtëpi të reja në pallatin e ashtuquajtur pallati i Kastratit që do të rindërtohet.
3. Banorët e këtij pallati kanë përfituar bonusin e qerasë dhe do të vazhdojnë ta përfitojnë atë derisa të strehohen në shtëpitë e tyre të reja.
4. Në vendin ku më parë ka qenë ky pallat do të ketë një shesh të sistemuar dhe një memorial në kujtim të jetëve të humbura nga fatkeqësia natyrore të këtij pallati.
Bashkia e Durrësit me mbështetjen e qeverisë shqiptare vijon punën për procesin e rindërtimit që po ecën me ritme të shpejta. Po kështu kjo Bashki do të vijojë të dëgjojë me kujdes të gjitha shqetësimet e banorëve të Durrësit dhe do të vijojë të jetë në shërbim të qytetarëve në çdo çast.