Kryetari i Partisë Demokratike në degën e Durrësit, Igli Cara në një postim në rrjetet sociale ka deklaruar se bashkia e qytetit bregdetar është në dilemë se çfarë duhet të bëj me banorët në lagjen nr.5, të cilët duhet të shpërngulen drejt periferisë, pasi pallatet e tyre u dëmtuan gjatë tërmetit në vitin 2019.
Cara shprehet se “pavarësisht vendimit të miratuar nga Komisioni Shtetëror i Rindërtimit, sipas të cilit, nëse nuk ka viktima, objekti do të duhet të rindërtohet në të njëjtën hapësirë, bashkia e Durrësit nuk është e qartë se çfarë duhet të bëjë, ta shkelë apo ta zbatojë ligjin?”
Postimi i plotë:
Mbi 100 familje, në lagjen numër 5 të qytetit do të duhet të shpërngulen drejt periferisë, pasi pallatet e tyre, të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 nuk do të rindërtohen në të njëjtin truall.
Pavarësisht vendimit të miratuar nga Komisioni Shtetëror i Rindërtimit, sipas të cilit, nëse nuk ka viktima, objekti do të duhet të rindërtohet në të njëjtën hapësirë.
Tre vite pas fatkeqësisë natyrore, Bashkia e Durrësit nuk është e qartë se çfarë duhet të bëjë!Ta shkelë apo ta zbatojë ligjin?
Nga njëra anë i kërkon këtyre familjeve të shpërngulen në periferi, nga ana tjetër nuk i kthen përgjigje zyrtare banorëve për këtë çështje!
Kjo është vetëm maja e ajsbergut, pasi problematikat e post tërmetit janë të shumta.
Pallate të pabanueshme, që nuk janë shembur ende; vonesa në bonusin e qirasë; cilësi e dobët e punimeve në riparimet e dëmeve; ndryshime projektesh, sipas interesave të caktuara apo edhe familje “të harruara” në kontenierë.
Të kenë mbaruar fondet apo janë thjesht hamendësime të banorëve në hall, që nuk gjejnë zgjidhje, sot e tri vite?!