Tiranë, 28 shkurt 2014– Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe paraardhësi i tij në këtë post Sali Berisha reaguan në rrjetin social Facebook  për protestën e taksive 8+1. Duke vënë theksin në faktin se qytetarët që sot protestonin kërcënohen me bukën e gojës, Basha akuzoi qeverinë Rama se po tenton të traumatizojë vendin përmes pushtetit.

“Kur qeveria nuk mbështet punësimin por është shkaku i papunësisë, ajo nuk është zgjidhja por problemi, nuk është zgjidhja por e keqja vetë. Nuk ka gjë më të pamoralshme në politikë se të përdorësh pushtetin për të traumatizuar vendin, për ta kthyer depresionin tënd në depresion kombëtar”, shkruan Basha. Kreu i PD-së kërkon që kjo qeveri nuk duhet lënë të finalizojë marrëzinë e saj. 

Ndërkohë ish lideri i selisë blu, Sali Berisha vë theksin në mesazhin e tij në faktin se protestuesit paqësorë u pritën me shkopinj gome nga policia.  Sipas Berishës, kryeministri Rama është i frikësuar nga protesta dhe po përjeton tronditje psikike. 

“Burracaku, që nga njëra anë preu kangjellat e Kryeministrisë ndërsa nga ana tjetër i tmerruar dhunon protestuesit paqësorë, deshmon se po perjeton tronditje te madhe psiqike.”- shkruan Berisha. Sipas tij dyshja Rama- Meta po u pret bukën e gojës shoferëve të furgonave pasi synon të vendosë monopolin në transport. Ai i bën thirrje qytetarëve që të bashkohen me protestën e drejtuesve të furgonëve 8+1.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/