Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka reaguar për protestën e sotme të pjesëtarëve të njësive elitare të Policisë të cilët shprehën pakënaqësi për propozimin e qeverisë për shtresat në rrezikshmëri.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Sveçla ka thënë se qeveria ka pasur synim përmirësimin e kushteve të punës dhe sigurim të pajisjeve që mbrojnë jetën e zyrtarit policor si dhe kanë bërë përpjekje për trajtim dinjitoz e të drejtë, duke pretenduar se kompensimi për angazhimet shtesë s’është zbatuar fare në të kaluarën.
Sveçla ka shtuar se angazhimi shtesë është kompensuar pa vonesa, ndërsa shton se të paga mujore gjatë këtij viti për policët që protestuan sot është mbi 2 mijë e 200 euro.
“Për ne, ka qenë gjithmonë synim përmirësimi i kushteve të punës, sigurimi i pajisjeve që mbrojnë jetën e zyrtarit policor si dhe trajtimi dinjitoz e i drejtë i tyre, teksa për dallim nga kohërat e mëhershme, kur kompensimet për angazhimet shtesë nuk janë zbatuar fare, ne kemi kompensuar ato pa vonesa. Të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të zyrtarëve që protestuan sot janë mbi 2.200 euro”, ka shkruar Sveçla.