Për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë protestës së opozitës do të angazhohen 1400 forca policie.
Opozita zhvillon sot mosbindjen civile, por ndryshe nga të tjerat këtë herë i pranishëm do të jetë edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili para disa javës iu revokua masa e sigurisë së arrestit në shtëpi.
Tubimi i Partisë Demokratike është planifikuar të nisë në orën 17:00 dhe rrugët që do të bllokohen janë: Rruga pranë Bashkisë së Tiranës, rreth.rrotullimi tek “Zogu i Zi”, tek sheshi “Wilson”, tek “Pallati me Shigjeta”, si dhe kryqëzimi tek “Rruga e Elbasanit”, pranë xhamisë së “Namazgjasë”.
Organizatorët e protestës kanë njoftuar Policinë e Tiranës se do të bllokojnë disa akse për rreth 3 orë, por policia u ka kthyer përgjigje se garanton çdo tubim paqësor, por jo bllokimin e rrugëve dhe se çdo akt i tillë përbën përgjegjësi penale.
Në përgjigjen e kthyer PD-së, Policia shprehet se në bazë të ligjit “Për tubimet”, organizimi i tubimeve në disa segmente rrugore në Bashkinë Tiranë krijon probleme dhe premisa për cenime të rendit publik dhe sigurisë së shtetasve të tjerë, pengon qarkullimin e automjeteve të emergjencës, cenon të drejtat dhe liritë themelore për lëvizjen e lirë të shtetasve, si dhe pengon lëvizjen e lirë të automjeteve të transportit publik dhe privat në kryeqytet. Për mbarëvajtjen e rendit dhe të sigurisë gjatë protestës, Policia do të përdorë forcat e rendit, të Shqiponjave dhe FNSH“.
Po ashtu do të vendosen edhe autobote me ujë për të shpërndarë protestuesit në rast se do të jetë e nevojshme. Opozita i është drejtuar me disa kërkesa qeverisë ku më e rëndësishmja është ajo për qeveri teknike, teksa vendi po i drejtohet zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.