Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka publikuar një njoftim sigurie për qytetarët e saj në lidhje me protestën që do të organizohet ditën e sotme nga opozita në orën 19:00.

Sipas njoftimit, protestuesit pritet të mblidhen pranë godinës së Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, mes sheshit “Skënderbej” dhe sheshit “Nënë Tereza”, por ambasada thekson se tubimi mund të shtrihet edhe në zona të tjera përreth institucioneve qeveritare.

Ambasada paralajmëron se gjatë protestës mund të ketë prani të shtuar të forcave të rendit, si dhe bllokime rrugësh, devijime trafiku dhe ndërprerje të qarkullimit në disa akse kryesore të qytetit. Ajo rekomandon qytetarët amerikanë që të shmangin zonën e protestës, të monitorojnë mediat lokale dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve shqiptare.

“Ndërkohë që protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt. Protesta mund të zgjerohet në blloqet dhe ndërtesat qeveritare aty pranë, duke shkaktuar potencialisht ndërprerje të trafikut, devijime dhe mbyllje rrugësh. Udhëzimi ynë i përhershëm është të shmangni zonat e protestave. Nëse jeni në qytet, ju lutemi qëndroni vigjilentë dhe jepini përparësi sigurisë suaj personale”, thuhet në njoftimin e ambasadës.