Pas protestës së madhe të opozitës së zhvilluar ditën e djeshme, Belind Këlliçi ka bërë apel që të lirohen protestuesit e arrestuar.

Gjatë deklaratës së tij për mediat, Këlliçi tha se angazhimi i policëve civilë për të goditur dhe arrestuar protestuesit e opozitës, është një shenjë se pushteti ka frikë nga opozita.

“Partia Demokratike siguron të gjithë protestuesit se ne do tu dalim zot. Tubimi i djeshëm, i qindra mijëra shqiptarëve është siguresa e garancisë se në këtë vend është sovrani që e ushtron pushtetin, dhe ata qeveritarë në kryeministri dhe ata policë me uniformë, janë vetëm qiraxhinj në shtetin e shqiptarëve.

Taulant Balla, Muhamet Rrumbullaku e të tjerë, të bëjnë kujdes! Tu thonë zelltarëve partiakë në polici se nuk i mbron asgjë para së drejtës dhe ligjit. Nuk mund të fshihen dhe nuk mund të marrin garanci paprekshmërie nga ata që as vetë nuk i kanë këto garanci! Kush prek demokratët do të përgjigjet një më një.

Çdo procedim, ndalim apo abuzim me protestuesit e djeshëm do të marrë përgjigje ligjore dhe qytetare. Cdo polici abuziv do t’ia çojmë ligjin te dera, çdo shkelësi do t’i kujtojmë se interesat e qytetarëve, e drejta e fjalës dhe protestës, nuk mund të negociohen me patronazhistët e pushtetit.

Bëni kujdes, sepse kujdestaria e pushtetit nuk e ndal dot shpagimin e ligjit, dhe kur kjo të ndodhë as Edi, as Taulanti nuk do jenë aty për tu mbrojtur.

Në fund, edhe njëherë, mirënjohje për të gjithë shqiptarët që dhanë dje një mesazh force dhe shprese. Të gjithë protestuesve që u cenuan në krye të detyrës qytetare, në zemër të protestës, u themi se Partia Demokratike dhe opozita janë me ta në çdo hap ligjor dhe njerëzor”,- thuhet ne deklaraten e Këlliçit.