Në protestën kombëtare të opozitës, lideri i PD, Sali Berisha deklaroi ndër të tjera:

“Sot ne jemi në kilometrin e fundit me ndihmën e Zotit, asgjë s’do të na ndalë drejt fitores tonë. Sot ne jemi para triumfit të madh. Shumëkujt triumfi mund t’i duket shumë larg, kur sheh udhëkryqin në të cilin ndodhet Shqipëria. Por miqtë e mi, opozita që kemi bërë vitet e fundit, ka qenë maratonë jo e lehtë. Një karvan maratonë e mbushur me dhunën e narko-shtetit. Por edhe një qëndresë stoike, sakrifica të dhimbshme nga ne. Ishin vite të një përballje të egër.

Përdori të gjitha mënyrat për realizimin e projektit të tij, Shqipëria pa opozitë. Përdori burgjet, trillimet, manipulimet, lubimet e korruptuara, por ja ku jemi sot, më të fortë se kurrë. Në rrugëtimin tonë, që në kilometrat e parë, ne i dëshmuam shqiptarëve dhe botës që Shqipëria pa opozitë ishte turpi i tyre.

Në këtë rrugëtim, ne u ngritëm si feniksi nga hiri dhe arritëm në kilometrin e fundit si partia më e mbështetur nga shqiptarët. Arritëm në kilometrin e fundit pasi plagosëm për vdekje bishën narko-diktaruë. Zoti ju bekoftë.

Në rrugëtimin tonë epik, i provuam shqiptarëve dhe botës që jemi të pamposhtur dhe sot, në kilometrin e fundit, jemi më të vendosur se kurrë në objektivin tonë. Sot jemi mbledhur masivisht në këtë protestë madhështore. Secili nga ne duhet të rikujtojë ato që ne realizuam së bashku”, tha Berisha.