Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informon se gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme në Spitalin Universitar të Traumës dhe Spitalin Universitar “Nënë Tereza” janë paraqitur 21 persona.

Sipas Ministrisë, 19 prej tyre ishin efektivë të Policisë së Shtetit, një deputet i Partisë Demokratike, konkretisht Bledion Nallbati dhe një qytetar.

“Në Urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës janë paraqitur 10 efektivë policie, deputeti Bledion Nallbati dhe një qytetar. Ata kanë marrë ndihmën mjekësore sipas protokolleve respektive, të pritur nga ekipi mjekësor multidisiplinar.

Pas trajtimit, 9 efektivë janë larguar nga spitali, sipas këshillave të mjekut dhe një prej efektivëve është dërguar në QSUNT në Shërbimin e Toksikologjisë, për shkak të problemeve me frymëmarrjen”, sqaron ministria.

Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë thotë se deputeti Nallbati pasi ka marrë trajtimin e nevojshëm është larguar nga spitali me këshilla mjekësore.

Ndërsa në Spitalin e Traumës po trajtohet qytetari K.K jashtë rrezikut për jetën.

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur 10 efektivë policie me probleme shëndetësore, kryesisht intoksikacione dhe djegie të gjymtyrëve.

Nga këta, 7 efektivë kanë marrë trajtim ambulator dhe kanë lënë ambientet e spitalit, ndërsa 3 të tjerë, për shkak të gjendjes shëndetësore, janë hospitalizuar për trajtim të mëtejshëm.