Teksa protesta e opozitës ka hyrë në ditën e katërt, kreu i demokratëve Lulzim Basha ka folur para qytetareve në çadrën e ngritur para godinës së Kryeministrisë. Basha u shpreh se protesta do vijojë deri në realizimin e kushteve, të cilat janë zgjedhje të lira dhe të ndershme, largimi i Ramës dhe formimi i një qeverie teknike. Kryeopozitari renditi edhe disa nga arsyet se pse duhet të ikë Rama.

“Kjo është një kauzë për Shqipërinë e sotme dhe të ardhme. Do jemi këtu deri në realizimin e plotë të kushtit tonë që është zgjedhje të lira dhe të ndershme, largimin e Ramës dhe qeveri teknike. Disa prej pakicës që po dridhet nga shumica thonë pse duhet të ikë qeveria? Qeveria duhet të ikë, pasi ka rënë. Të ikë pasi ka rënë ekonomia. Mediat kanë rënë, pasi marrin kërcënime. Kur kjo qeveria ka rrëzuar çdo institucion ne duhet ta rrëzojmë këtë qeveri. Dy rrugë ka, ose të pranojmë të bie edhe ky institucion për zgjedhje të lira dhe të ndershme ose të qëndrojmë këtu. Nuk ka detyrë më të madhe se ta shtrijmë protestën anembanë Shqipërisë, asgjë nuk do jetë më si më parë, deri sa zëri i shqiptarëve për zgjedhje të lira të dëgjohet dhe vullneti i tyre të respektohet. Ky kryeministër i ka dorëzuar çelësat e pasurisë oligarkëve. Në krahun tonë ka njerëz të medias të cilët janë në krahun tonë dhe nuk kanë pranuar t’i lëpihen Ramës”, tha Basha.