Policia ka nisur me organizimin e efektivëve të terren, të cilët do të angazhohen për mbarëvajtjen e protestës së thirrur nga opozita në orën 17:30.

Kujtojmë për protestën do të angazhohen 1100 efektivë policie, duke nisur nga ato të rendit, FNSH, Shqiponjat dhe Garda e Republikës, ndërsa RENEA do të jetë në gatishmëri. Gjithashtu janë vënë dhe autobote uji, ndërsa njoftohet dhe për një kordon me efektivë policie para kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj.

Dyert e Kryeministrisë janë blinduar me veshje metalike, ndërsa përgjatë gjithë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ janë instaluar kamera me rezolucion të lartë.

Segmentet rrugore që do të bllokohen janë: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.