Dhjetëra banorë që preken nga projekti TID në zonë historike të Durrësit pranë Amfiteatrit dhe gjatë bulevardit “Epidamn”, ashtu siç kshin paralajmëruar, sot janë zhvendosur në protestën e tyre të radhës para Kuvendit.
Ata protestojnë kundër shpronësimeve, për shkak të vlerës së ulët të ofruar nga Bashkia Durrës. Më 10 shkurt Bashkia Durrës i dërgoi një projektvendim Këshillit Bashkiak, për të miratuar një bonus qiraje për banorët që preken nga projekti “TID”, kërkesë që u kundërshtua me forcë nga pronarët e banesave dhe bizneseve.
Sipas banorëve, akordimi i bonusit të qirasë është tallje me ta. Për shkak të rezistencës së qytetarëve, këshilltarët opozitarë braktisën sallën e mbledhjes dhe projektvendimi për bonuset e qirave u shty për në mbledhjen e radhës.
Së bashku me durrsakët, protestojnë edhe banorët e Rrjollit, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e resortit të kompanisë “Gener 2” të biznesmenit dhe botuesit Bashkim Ulaj, pasi sipas tyre ajo zonë është toka e tyre. Ata i janë drejtuar dhe Prokurorisë me dokumentet e pronës në duar, si dhe bashkisë së Shkodrës për të kërkuar llogari për lejen e ndërtimit të lëshuar për Ulajn.





