Kryetari i PD-së Sali Berisha në një konferencë për mediat, iu ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin të gjithë sot në shesh, duke shtuar se narko-regjimi i Ramës duhet rrëzuar.

“Kupa e Edi Ramës është derdhur prej kohësh. Ndaj dhe sot më shumë se kurrë duhet të jemi në atë bulevard, në ato rrugë, në ato sheshe për të përcjellë mesazhin tonë se ne nuk pajtohemi kurrë me një organizatë hajdutësh, që u ka vjedhur shqiptarëve shuma përrallore të buxhetit, pasuri të pafundme publike, ka vendosur ligjin e mafies dhe tani do me çdo kusht t’u vjedhë të ardhmen evropiane.

Prania jonë sot është mesazhi më i shkëlqyer, është mesazhi më dinjitoz që ne u përcjellim shqiptarëve në Shqipëri dhe të katër anët e dheut, por që ne u përcjellim edhe miqve tanë të vërtetë në BE, SHBA dhe kudo që janë”, tha Berisha.

Sipas Berishës, Rama ka qenë në Bruksel, aty ku zyrtarët e lartë i kanë treguar atij kartonin e zi.

“Unë erdha përsëri t’u drejtoj thirrjen time si shqiptari-shqiptarit, si qytetari-qytetarit, të bashkohemi sot në bulevardet dhe rrugët e Tiranës në një nga momentet më kritike të historisë tonë.

Sot në Bruksel përfaqësuesit e vendeve më të mëdha të Europës patën para tyre narko-diktatorin e parë të kontinentit, Edi Ramën.

Patën para tyre njeriun që për vjedhjet e tij dhe organizatës kriminale, është i aftë dhe i gatshëm në papërgjegjshmëri të plotë, të shkelmojë dhe interesat më jetike të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Patën para tyre njeriun, i cili i detyroi përfaqësuesit e vendeve kryesore të BE t’i nxjerrin jo kartonin e kuq, por kartonin e zi.

Mundësinë e shpërbërjes së plotë të udhëtimit tonë 32-vjeçar drejt BE”, deklaroi ai.

I pyetur se çfarë skenari do të ketë Partia Demokratike në protestë, Berisha u shpreh se do të ketë një kryengritje paqësore.

Sot në 10 shkurt, PD do të zhvillojë protestën e radhës përpara Kryeministrisë.