Tiranë, 10 nëntor 2013  – “Të ngrihemi të ndalojmë blerjen e votës para se blerja e votës të ndalojë demokracinë”. Me këtë thirrje u është drejtuar sot qytetarëve kryetari i opozitës Lulzim Basha, për t’i ftuar ata në marshimin protestë, që PD-ja pritet të organizojë të hënën, në orën 14:00 në kryeqytet. 
Në një deklaratë për mediat nga selia e PD-së, kryetari Basha deklaroi se blerja e votave në Korçë është një kambanë alarmi për demokracinë shqiptare, që sipas tij, ka nisur të bjerë që në zgjedhjet e 23 qershorit. 

“Ajo që ndodhi në Korçë sot një javë është paralajmërimi ogurzi i shkatërrimit të zgjedhjeve nesër, me metodën kriminale të vjedhjes së votës dhe blerjes së abstenimit me paratë e krimit të organizuar dhe mafies politike dhe ekonomike. Kjo është një kambanë alarmi për demokracinë shqiptare që ka nisur të bjerë që në zgjedhjet e 23 qershorit. Nuk ka gjë më të madhe se sa marrja peng me rrjetën e parave të pista të pasurisë më të madhe që ka individi, votën e lirë. Është poshtërim i mbarë popullit shqiptar. PD dhe opozita e refuzojnë me neveri këtë akt të shëmtuar, këtë projekt antidemokratik dhe antieuropian.”- deklaroi Basha. 

Kreu i PD-së theksoi se protesta do të jetë paqësore dhe qëllimi i saj është ti komunikojë mazhorancës se qytetarët nuk do t’i dorëzojnë zgjedhjet e lira dhe demokracinë. 

“PD u bën thirrje të gjithë qytetarëve, të bashkohemi nesër në marshimin tonë paqësor të protestës, për të komunikuar se zgjedhjet e lira nuk i dorëzojmë, se demokracinë dhe lirinë e të drejtat tona nuk i japim. Të mblidhemi nesër për të ndalur kërcënimin ndaj të ardhmes. Jo sot, jo nesër, jo përgjithmonë blerjes së votës.”- u shpreh Basha. 

Marshimi paqësor i thirrur nga opozita do të nisë të hënën në orën 14:00 nga selia e PD-së dhe do të vazhdojë përgjatë bulevardit "Dëshmorët e Kombit", për të ndaluar para godinës së Këshillit të Ministrave.