Pasi u hap rruga e mbajtjes së primareve dhe nisjes së negociatave për bashkimin e e partisë, PD po zhvillon mbledhjen e grupit parlamentar.
Kryedemokrati Sali Berisha ndal te protesta e pedagogëve, për të cilën theksoi mbështetjen e tij si dhe iu bëri thirrje pedagogëve të tjerë që t’iu bashkohen.
Berisha tha se kryeministri Edi Rama po sillet si diktatori i Enver Hoxha, pasi kërkon veting për akademikët.
Pjesë nga fjala e Berishës
Vuri në krye të arsimit një person që kishte probleme serioze me arsimin e vet dhe tani u kthehet përsëri, pasi i ka fundosur për tetë vite me radhë, duke u marrë me punësimin e tyre. Duke u mbajtur rrogat në rënie çdo vit për shkak të inflacionit. Tani vërsulet ndaj kërkesave më minimale si ta kishte nxjerrë Enver Hoxha nga hunda. Pra, vërsulet ndaj universiteteve, u tregon hanxharin, vetingun.
Kush është ky që u tregon vetingun këtyre? Ai është kreu i një organizate më kriminale në Europë, që thotë se firmos fap e fap, që firmos qindra milionë dollarë, në një kohë kur entet e specializuara të shtetit i thonë se nuk mund të firmosen, se janë në kundërshtim flagrant me ligjin. Por ligji i xhepit prevalon mbi çdo ligj. Ka fytyrë të kërkojë veting të pedagogëve ky që parkun rreth shtëpie e kam blerë me 2 dollarë. A u kujtohet ju pse e kanë akuzuar Adriatik Llallën? Sepse ka bërë rivlerësimin e pasurisë sipas ligjit. Kurse ky e ka parkun në zonë të ndaluar, të mbrojtur. Ky që u kërkon vetingun dhe ua përmend vetingun si hanxhar. Ky ka një saraj dhe flet për pastërti figure.
Njëherë zonja thotë se u bënë me paratë e Kurbanit, ky del e thotë se u bënë me paratë e emigracionit. Kërkojani një faturë për paratë e emigracionit me të cilat ndërtoi vilën. Nuk ka asnjë faturë të vetme. Thotë ka 3800 dojçmarka, ndërkohë që sarajet ishin ngritur komplet.
Ky kërcënon pedagogët, kërcënon me mbyllje universitetet e Vlorës, Gjirokastrës. Ka dërguar hordhitë tatimore për të bërë presione nga më të paligjshmet. Dhe kulmon kur thotë se do marr studentë nga jashtë. Dhe këta shqiptarët nuk i lejoj. Sepse i urren. Ky do të krijojë elitën e patronazhistëve. Enver Hoxha, gjëja e parë që bëri ishte dekapitimi i elitës.