Sot Partia Demokratike do të mbajë protestën e radhës kundër Qeverisë, duke kërkuar rrëzimin e saj, krijimin e një qeverie teknike dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Ndryshe nga protesta e fundit, kësaj radhe tubimi do të organizohet përpara Parlamentit, kur paralelisht do të jetë duke u mbajtur seanca plenare, më e rëndësishmja e këtij viti, pasi do të diskutohet nen për nen për buxhetin e vitit 2016.

Opozita ka dalë kundër këtij buxheti, duke e kundërshtuar ashpër dhe do të zhvillojë aksionin e saj në Kuvend me deputetët duke kundërshtuar pr/buxhetin, dhe jashtë me protestat e qytetarëve. Nga ana tjetër, edhe pse kreu i PD Basha ka thënë se protesta do të jetë paqësore, policia që në orët e para të mëngjesit ka marrë masa për të garantuar rendin dhe qetësinë. Rreth orës 07:00 të mëngjesit, policia ka nisur të pozicionohet përreth Kuvendit, ku do të mblidhen edhe qytetarë.

Disa makina policie që shpërndajnë turmën me ujë janë nisur që në mëngjes në drejtim të Parlamentit. Në fotot e siguruara nga Syri.net shihen automjetet e policisë që shpërndajnë turmën në rast të agravimit të situatës si dhe furgonë të tjerë të uniformave blu që janë rreshtuar pranë vendit ku do të zhvillohet protesta.