Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalimit të tij mbrëmjene sotme i ka bërë thirrje qytetarëve të Tiranës që të bashkohen në protestën e radhës që do zhvillohet ditën e nesërme, e premte 11 tetor përpara bashkisë. Gjithashtu Berisha u shpreh se beteja me mafien e regjimit është një betejë jo e lehtë, por është një betejë plotësisht e fitueshme. Më tej Berisha u shpreh se beteja e tyre ka vetëm një objektiv, që është qeveria teknike, zgjedhje të lira dhe zgjedhje të ndershme.

“Ky është regjimi që çdo ligj, çdo normë dhe standard të një shteti normal, e ka zëvendësuar me vullnetin, me dufet, me epshet politike të kreut të narkoshtetit dhe banditëve të tij. Miq, beteja me mafien e regjimit është një betejë jo e lehtë, por është një betejë plotësisht e fitueshme dhe ajo ka vetëm një kusht, të vazhdojmë, të vazhdojmë, të vazhdojmë. Është radha jonë, është radha jonë! Ky regjim nuk ndalet kurrë po nuk e ndalëm ne.

Ky regjim nuk ka mëshirë, nuk ka ndjenja, e urren shqiptarin dhe shqiptarët. Duhet përmbysur një minutë e më parë. Ky regjim përmbyset vetëm atëherë kur ne të protestojmë çdo ditë, të protestojmë në mbarë Shqipërinë. T’ia dridhim tokën nën këmbë kësaj fare hajdutërish, që po zbrazin Shqipërinë, po dëbojnë shqiptarët nga trojet e tyre. Ndaj dhe nesër në ora 11:00, qytetare dhe qytetarë tek bashkia, për të kapur për zverku Erion Veliajn. Beteja jonë nuk ndalet kurrë! Beteja jonë ka vetëm një objektiv: qeverinë teknike, zgjedhje të lira, zgjedhje të ndershme, fitoren e opozitës,” tha Berisha.