Rreth 2500 protestues nga Durrësi pritet t’i bashkohen protestës pasditen e sotme në orën 19:00 në Tiranë të thirrur nga kreu i PD-së Sali Berisha.

Burime nga PD-ja e Durrësit thanë për “DurrësLajm” se nisja nga qyteti dhe njësitë administrative do të bëhet me mjete personale, por nuk do të mungojnë edhe nisjet e organizuara me autobusë nga Shkozeti dhe zona e ish-Kënetës.

Sipas organizatorëve, protesta e paralajmëruar do të nisë në orën 19:00 dhe do të përfundojë në orën 21:00. Policia nuk ka informacione për skenare që cenojnë rendin, por po implementon në terren planin e masave anti-tubim.

Prej orës 19:00, bulevardi “Dëshmoret e Kombit” nga kryeministria deri tek ish-hotel Dajti do të jetë i bllokuar për lëvizjen e mjeteve. Ndërsa në akset e tjera do te ketë qarkullim normal.

Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, janë:

– bulevardi “Dëshmorët e Kombit”;

– rruga “Gjergj Fishta”;

– bulevardi “Bajram Curri”

– bulevardi Zhan D’Ark

Policia apelon të gjithë qytetarët që të shmangin lëvizjen në këto akse rrugore.