Në një mbledhje të hapur të zhvilluar paraditen e sotme, senati Akademik i Universitetit "Aleksandër Moisiu" në Durrës (UAMD), ku morën pjesë Këshillat Studentorë dhe studentët e ekselencës, në zbatim të kompetencave që i jep ligji, shprehu njëzëri mbështetjen e plotë për kërkesat e paraqitur nga protesta studentore dhe vendosi:
1. T'i kërkojë Administratorit të Universitetit "Aleksandër Moisiu" Durrës nxjerrjen e kostos në buxhetit për të parë mundësinë e përgjysmimit të tarifave të studimit.
2. Heqjen e menjëhershme të çdo pagese shtesë nga ana e studentëve për tërheqjen e vërtetimeve apo dokumentave të tjera nga Sekretaritë Mësimore.
3. Krahas mbështetjes aktuale, të inkurajojë procedurialisht dhe financiarisht përfshirjen e vazhdueshme të studentëve në kërkimin shkencor brenda dhe jashtë Universitetit "Aleksandër Moisiu" Durrës.
4. Të ftojë Këshillat Studentorë dhe studentët ekselentë në diskutimet për buxhetin e ardhshëm të Universitetit "Aleksandër Moisiu" Durrës, si dhe në çështje të tjera që lidhen me proçesin mësimor dhe arritjen e standardeve më të larta akademike.
5. Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen:
- Administratori
- Rektorët
- Dekanët e Fakulteteve
- Drejtorët e Drejtorive
6. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.





