Protesta e studentëve sot është zhvendosur para parlamentit.

Ndërkohë që sot zhvillohet seanca plenare ku do të diskutohet dekreti i Presidentit për buxhetin, studentët do të kërkojnë plotësimin e 8 kërkesave të tyre, Këtyre kërkesave i është bashkuar edhe ajo për rrëzimin e ligjit për arsimin e lartë.

Pas grumbullimit nëpër Fakultete, ata kanë njoftuar se në orën 10:00 do të marshojnë për në Parlament.

“Bojkotimi i mësimit, mbledhjet koordinuese në fakultete do të jenë të përditshme. Dita e nesërme, kur Kuvendi i Shqipërisë mblidhet në seancë plenare, është vendimtare. Aty do të jenë strukur të gjithë përgjegjësit e katastrofës universitare, të sotmit dhe të djeshmit”, shkruan në FB Lëvizja për Universitetin.

Një ditë më parë studentët e dy fakulteteve, Shkencat Sociale dhe Ekonomiku vendosën që protesta dhe bojkoti mësimor të vijojë edhe pas pushimeve të fundvitit.