Policia e Durrësit ka proceduar penalisht kreun e FRPD-së Durrës, Artion Bajramaj dhe studentin e UAMD-së, Shyqyri Myrtollarin, si organizatorë të protestës që u mbajt dje në Durrës para godinës së prokurorisë së rrethit, për vrasjen nga një polic të 25-vjeçarit Klodian Rasha.

Me thirrjet “Unë jam Klodiani”, një grup të rinjsh kërkuan dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dhe drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Lidhur me protestën, policia e Durrësit informon sot përmes një komunikate për shtyp, se Bajramaj dhe Myrtollari akuzohen për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës proceduan penalisht, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, shtetasit A. B., 30 vjeç dhe Sh. M., 26 vjeç, banues në Durrës.

Më datë 09.12.2020, rreth orës 17:00, këta shtetas kanë organizuar një grumbullim me rreth 40 persona, pa lejen e organeve kompetente.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.