Mijëra qytetarë kanë protestuar të mërkurën para zyrës së presidentit maqedonas Gjorgje Ivanov, që ndodhet në qendër të Shkupit. Protestat po mbahen pasi qytetarët, të mbështetur dhe nga partia opozitare LSDM, janë kundër vendimit të fundit të presidentit për të falur të gjithë politikanët e akuzuar për manipulime zgjedhore dhe vepra të tjera penale.

Demonstruesit kanë hedhur gurë, vezë dhe koktejl molotovi, dhe të tjerë tentuan t’i vënë zjarrin zyrës së Ivanovit.

Ata dhunuan gjithashtu edhe institucionet e tjera, duke thyer xhamat e dritareve të disa prej ministrive. Në përpjekje për të ndaluar vandalizmin, policia ka ndërhyrë, por protestuesit kanë qëlluar me gurë, fishekzjarrë dhe sende të forta ndaj oficerëve të saj.

Mediat maqedonase raportojnë për 12 të arrestuar dhe një person të lënduar.