Kryeministri Edi Rama ka ftuar kundërshtarin e tij politik në tryezën e dialogut, por lideri i PD-së, Lulzim Basha duket se është i vendosur në kauzën e tij. Në mënyrë të përsëritur shefi i ekzekutivit iu drejtua Bashës me tre letra publike duke i kërkuar dialog pa kushte, pasi siç pohonte mes tjerash kryeministri, koha nuk pret sepse 30 qershori po afron.
Lideri i selisë blu ka mohuar në formë kategorike një dialog në këto kushte, ndërsa ka shtuar se kryefjala e kauzës së opozitës së bashkuar është largimi i kryeministrit Rama dhe krijimi i qeverisë tranzitore. Sipas Bashës, këto janë dy parakushte që do të ndihmojnë në zgjidhjen e krizës politike, e cila prej kohësh në fakt është shoqëruar me argumente dhe akuza të forta në distancë mes palëve.
Këtë të shtunë opozita ka paralajmëruar një tjetër protestë kombëtare përpara godinës së Kryeministrisë në orën 19:00, e cila sipas drejtuesve të partive opozitare, do të jetë protesta më e madhe e organizuar ndonjëherë gjatë historisë së pluralizmit politik në Shqipëri.
Ndërkohë ende nuk ka detaje për formën se si do të organizohet dhe sa do të zgjasë kjo protestë, por ndërkohë dje lideri demokrat nga Mati, teksa i ftoi qytetarët të marrin pjesë në protestë i dërgoi një tjetër mesazh kryeministrit se nuk ka asnjë hap pas në synimet e opozitës, pavarësisht thirrjeve të Ramës përmes letrave për dialog pa kushte.





