Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, në një komunikim me qytetarët ditën e sotme teksa ka folur mbi protestën Kombëtare më 10 shkurt, ka paralajmëruar se demokratët do qëndrojnë në shesh deri sa të largohet regjimi në pushtet.
“Qëndrimi në shesh për aq kohë sa ta largojmë regjimin është rruga më e sigurt e fitores tonë”, deklaroi Berisha.
Kryedemokrati u shpreh se kjo, sipas tij, është rruga e vetme efikase për të larguar regjim nga pushteti.
Më tej ai tha se “Edi Rama të bëjë ç’të dojë, mbrapa diellit të shkojë, shpresë nuk ka”, ndërsa shtoi se “Rama do shkojë aty ku e ka vendin hajdutët dhe kriminelët që qeverisin një vend me lidhje të forta me kartelet e drogës, krimin dhe farsë elektorale”.
Berisha: Miq, gjatë këtyre ditëve janë me qindra qytetarë dhe qytetare që kërkojnë me shumë të drejtë që në protestë të mos largohemi nga sheshi pa realizimin e qëllimit tonë.
Kjo është një kërkesë jashtëzakonisht e drejtë dhe është rruga e vetme efikase për të larguar këtë regjim nga pushteti.
Por kjo kërkon nga secili nga ne që të bindim gjithnjë e më shumë qytetarë se qëndrimi në shesh për aq kohë sa ta largojmë regjimin është rruga më e sigurt e fitores tonë.
U garantoj se drejt asaj në mënyrë të pandalshme do të shkojmë.
Edi Rama të bëjë ç’të dojë, mbrapa diellit të shkojë, shpresë nuk ka, do shkojë aty ku e ka vendin, aty ku e kanë vendin hajdutët dhe kriminelët që qeverisin një vend me lidhje të forta me kartelet e drogës, krimin dhe farsë elektorale.
Ndaj dhe duke u falenderuar shumë për atë angazhim të jashtëzakonshëm që treguat më 24 janar, u ftoj të shumëfishojmë forcat dhe të bashkohemi në protestën e ardhshme.
Të tregojmë fuqinë tonë, të tregojmë vendosmërinë tonë, të tregojmë se ne do jemi fitimtarët në këtë vend.





