Banorët e Qarkut të Kukësit do ta shprehin sot me protestë kundërshtimin për tarifën për kalimin në Rrugën e Kombit, edhe pas deklaratës së Kryeministrit Edi Rama se ata do të lehtësohen, por nuk do të përjashtohen nga pagesa.

Qytetarë, përfaqësues të biznesit dhe këshilltarët e Bashkisë nga të gjitha partitë politike do të bëhen bashkë në vendin ku paguhet tarifa e rrugës.

Protesta pritet të nisë në orën 11:00. Organizatorët theksuan se protesta jopolitike do të jetë paqësore dhe kërkesa është heqja e taksës.

Si një ndër qarqet më të varfëra në rang vendi, Banorët e Kukësit, thonë se tarifa prej 5 eurosh për të kaluar tunelin është shumë e shtrenjtë. Qytetarët thonë se kjo tarifë do ta përkeqësonte gjendjen e tyre, ndërsa tregtarët paralajmërojnë rritje çmimesh.

Në këtë protestë është paralajmëruar pjesëmarrje e madhe edhe e tregtarëve nga Kosova si dhe e protestuesve nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë.

Organizatorët kanë njoftuar Policinë e Shetit e cila ka marrë masa shtesë dhe në këto masa do të jenë edhe policitë e rajoneve Shkodër e Lezhë dhe të ardhur nga Tirana.

Pagesa për rrugën e Kombit nisi të aplikohet të mërkurën, ndërsa tarifat variojnë nga 2.5 euro për motorë, 5 euro për makinat e vogla e deri në 22.5 euro për kamionët e mëdhenj.