Mesditën e sotme kanë dalë para gjykatës së Durrësit personat e arrestuar për protestën e 11 dhjetorit kundër vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga policia, ku u dëmtua dekori festiv në sheshin “Liria”.
Seanca ka nisur prej orës 13:30 dhe çështja për 7 qytetarët e prangosur do të gjykohet nga gjyqtarja Eda Kajo.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në përfundim të veprimeve të kryera në lidhje me protestën e paligjshme të zhvilluar ditën e djeshme, përpara Bashkisë Durrës e më pas përpara godinës së Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”, “Shkatërrim i pronës”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshëm”, shtetasit:
G. Sh., A. Xh., Xh. S., A. D., A. L., E. Zh. dhe A. M.
Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” 3 shtetas (organizatorë të protestës), dhe për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” 12 shtetas.
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim, për veprat penale “Shkatërrim i pronës”, “Kundërshtim i punonjësit të Policisë”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, e 2 shtetasve.”, thuhej në njoftimin e policisë të shtunën që lamë pas.





