Maqedoni, 11 korrik 2014 – Ashtu siç ishte paralajmëruar, shqiptarët dhe maqaedonasit në Shkup kanë nisur protestat. Protestuesit shqiptare janë nisur nga xhamia “Jahja Pasha” drejt Gjykatës duke mbajtur në duar pankartat : “Stop rasteve të montuara politike”, “ Radishani”, “ Sopoti” , “Monstra”. Protesta është shoqëruar me thirrjet "UÇK" e "Duam liri". 

Ndërsa protesta e maqedonasve është thirrur për t'u zhvilluar para Qeverisë dhe nuk dihen organizatorët e saj.

Shqiptarët protestojnë lidhur me vendimin me burg të përjetshëm të gjashtë shqiptarëve për rastin e ashtuquajtur “Monstra”, ndërsa maqedonasit do të protestojnë me moton “Maqedonia e maqedonasve” dhe në mbrojtje të vendimeve institucionale. Protestat kane filluar rreth orës 14.00. 

Disa aktivistë nga Kosova e Shqipëria u kthyen në kufi nga policia. 6 shqiptarë u dënuan me burg përjetë për çështjen “Monstra”. Në protestë janë edhe edhe familjarët e 6 të dënuarve shqiptarë. 

Ministria e Brendshme ka shtuar masat e sigurisë në kryeqytet, për të shmangur kontaktin e mundshëm të turmave protestuese. Forca të mëdha policore janë të pranishme në kryeqytet. 

Protesta e shqiptarëve ka marrë mbështetjen e shumë organizatave dhe asociacioneve shqiptare nga vendi, trevat e tjera dhe diaspora. 

Lidhur me këto protesta janë bërë apele nga partitë politike, shoqatat dhe bashkësia ndërkombëtare për protesta të qeta dhe për shmangie të dhunës. Protesta të shqiptarëve pritet të mbahen edhe nëpër qytetet e tjera të vendit, pasi që ka pasur disa thirrje përmes rrjeteve sociale. 

Në Shqipëri Aleanca Kuqezi po zhvillon një protestë në mbështetje të shqiptarëve në Maqedoni. Kreu i AK-së Kreshnik Spahiu bëri apel që të gjitha partitë politike të bashkohen për pakt kombëtar. Ai u shpreh se shqiptarët jetojnë nën pushtimin maqedonas. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/