Një 53-vjeçar është ndaluar nga policia e Tiranës nën akuzën e goditjes së efektivëve të policisë në protestën e dhunshme që opozita mbajti para bashkisë së Tiranës më 19 prill.
Policia njofton se është arrestuar 53-vjeçari me iniciale A.M, banues në Tiranë.
Gjatë protestës së dhunshme, 53-vjeçari akuzohet se ka kundërshtuar dhe ka ushtruar dhunë ndaj punonjësve të policisë që po kryenin detyrën e tyre.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Kujtojmë se në protestën e mbajtur më 19 prill, protestuesit hodhën bomba molotov dhe bojë drejt godinës së bashkisë. Ndërsa për të bërë të mundur sigurimin e godinës, u angazhuan dhjetëra efektivë policie me të cilët protestuesit u përplasën fizikisht.
Për protestën pati reagime edhe nga ndërkombëtarët të cilët bënë thirrje për protesta paqësore dhe jo akte të dhunshme.





