Gjatë protestës para drejtorisë së policisë Durrës, situata është shumë më e ndryshme sesa një ditë më parë.
Vendin e kapsollave, kazanëve që digjen etj e kanë zënë deklaratat e të rinjve, shumë prej të cilëve ju drejtuan edhe forcave të policisë.
“Kush do t’ju mbrojë, policia është me popullin. Policia nuk duhet të vrasë”,– tha ndër të tjera i riu Flamur Bala.
Ndërkohë një gjest shumë simbolik ishte përqafimi i të rinjve protestues me efektivët e policisë të rreshtuar para drejtorisë. Një gjest paqësor, për të lënë pas përplasjet e një nate më parë dhe shoqërimet e shumta në polici.
Madje disa të rinj, nisën të fikin edhe zjarrin e ndezur në disa kazanë mbeturinash.





