Sot në Kuvendin e Shqipërisë u zhvillua një interpelancë me zv.Kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, lidhur me segmentin Kashar-Thumanë, i cili për shkak të mungesës së nyjeve lidhëse, kishte bllokuar rreth 85 mijë banorë të zonës së Krujës, Fushë-Krujës, Niklës, Thumanës etj, të cilët nuk kishin asnjë akses në rrugën e re.

Pas protestave të njëpasnjëshme, pati një tërheqje në qëndrim nga Balluku, e cila u dorëzua si pasojë e presionit qytetar, duke pranuar gjetjen e një zgjidhjeje, që do të konsistojë pikërisht në krijimin e mundësive që banorët të kenë akses në segmentin Thumanë-Kashar.

Në një reagim, deputetja demokrate Andia Ulliri tha se kjo seancë plenare solli në vëmendje fakte nga projekti i aksit Thumanë-Kashar, segment i Korridorit Blu.

“Nje vit kontestime, dy muaj intensive proteste me banorët për akses, ku përballja me mungesën e reagimit, dizinformimi dhe dhuna policore e bëri të vështirë betejën tonë si banorë për të bërë të qartë kërkesat tona.

Kjo betejë për shumë nisi nga data 30 qershor e për mua kjo betejë nisi ditën ku banorët u përballën me makinacionet për shpronësime në Bërxullë e më tej në ndërtimin e rrugës.

Sot gjatë interperlancës u bë publike dhe arritja e adresimit të kërkesave të banorëve dhe zgjidhjes së shumë kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për nyjet e shkëmbimit.

Kërkova të bëhen publike përfundimisht kërkesat dhe zgjidhjet përfundimtare në konformim me ligjin për Bashkinë Krujë në lidhje me autostradën Thumanë-Kashar”, shprehet Ulliri në një postim në rrjetet sociale.

Në vijim ajo shprehet se si Deputete e Bashkisë Krujë në të gjitha përpjekjet që ka bërë prej dy vitesh në krijimin e zgjidhjeve dhe mbështetjes së kësaj kauze, shpreh falenderimin dhe mirënjohjen time ndaj çdo banori që kontribuoi në zgjidhjen e këtij problemi me vërtetësi dhe guxim.

“Shumë thanë që ne ishim gabim dhe protestonim pa të drejtë por koha na dha të drejtën që kërkonim”, u shpreh ajo.