Prefekti i qarkut të Durrësit, Roland Nasto, ka pritur një përfaqësi të banorëve të përmbytur në veri të qytetit, në tre njësi administrative.
Banorët të irrituar i kanë thënë prefektit se shteti me paramendim ka hapur një rezervuar që shkaktoi përmbytjen masive në të gjithë zonën veriore të Durrësit, por kjo nuk u pranua si mundësi nga prefektura.
Ata thanë se nga dje, uji nuk është tërhequr sepse sipas tyre nuk punon hidrovori, por prefekti Nasto bëri me dije për protestuesit se prurjet e Erzenit kanë qenë të mëdha dhe uji po tërhiqet me ngadalë për shkak të këtyre prurjeve.
Ndër të tjera prefekti tha se ka dërguar një eskavator për hapjen e kanaleve kulluese të cilat janë bllokuar prej vitesh e nuk bëjnë dot të mundur tërheqjen e ujit.
Nasto tha se, sëbashku me banorët do të jetë aty ku ka ankesa për t'i verifikuar të gjithë dëmet.
K.H.





