Në Paris u zhvilluan protesta kundër një aktiviteti të organizuar nga figurat e së djathtës ekstreme në përkrahje të Izraelit. Në aktivitet, që synonte mbledhjen e fondeve për ushtrinë izraelite, ishte ftuar Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich.
Protesta u mbajt në prag të një ndeshje futbolli që do të mbahet në stadiumin kombëtar të Francës kundër ekipit kombëtar të Izraelit, e cila do të zhvillohet në një kohë tensionesh për shkak të luftërave në Lindjen e Mesme. Autoritetet në Paris njoftuan se mbi 4 mijë policë dhe 1,600 punonjës të stadiumit do të dislokohen për lojën.
Ministri Smotrich, një përkrahës i zëshëm i vendbanimeve të kolonëve izraelitë, pritej të merrte pjesë në aktivitetin e së mërkurës, që mbante titullin “Izraeli është i Përjetshëm”, i cili u organizua nga një shoqatë që mban të njejtin emrin. Grupi thotë se qëllimi i tij është “mobilizimi i forcave zioniste franko-folëse”.
Pas kritikave të shtuara të ditëve të fundit, zyra e ministrit Smotrich konfimoi të mërkurën se ai nuk do të merrte pjesë në aktivitetin e Parisit.
Por ftesa drejtuar ministrit Smotrich u kritikua ashpër nga shoqatat vendase, sindikatat dhe partitë e krahut të majtë, duke nxitur dy protesta në kryeqytetin francez. Ministri, një drejtues i kolonëve që i takon vijës së ashpër, është akuzuar se po nxit tensionet në Bregun Perëndimor. Deklarata e tij ku ai u shpreh optimist se zgjedhja e Presidentit amerikan Donald Trump do t’i hapte rrugë aneksimit të Bregut Perëndimor nga Izraeli, hap që do të shuante ëndrrat për krijimin e shtetit palestinez – u dënua gjerësisht nga opinioni ndërkombëtarisht.
Ministria e Jashtme franceze i quajti deklaratat e ministrit Smotrich “në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar” dhe kundërproduktive ndaj përpjekjeve për të ulur tensionet rajonale.